Ministria e Shëndetësisë raportoi dje se u regjistrua rasti i parë i riinfektuar me Covid-19 në vend.

Mësohet se bëhet fjalë për një personel shëndetësor, të shëruar më parë nga koronavirusi, konkretisht një mjek në qytetin e Durrësit, i cili u riinfektua sërish pas 3 muajsh.

Mjeku shërben në spitalin e Durrësit dhe ishte konfirmuar pozitiv nga ISHP në muajin mars dhe hetimi epidemiologjik konstatoi se ai u infektua nga 73-vjeçarja, e cila ishte edhe viktima e parë e koronavirusit në Shqipëri.

Më 25 mars, ministrja Manastirliu informoi se doktori u shërua dhe rezultatet e tamponeve dolën negative, e më pas ai iu rikthye punës në spital.

Por këtë radhë, Ministria e Shëndetësisë raporton se mjeku është infektuar nga kontaktet familjare dhe gjendja e tij shëndetësore deri tani është e stabilizuar.