Sa herë që nis e ndërtohet një rrugë e re, parimisht të gjithë banorët dhe qytetarët thonë me gëzim “më në fund”! Por në Durrës, modeli i Rilindjes i ka bërë të gjithë durrsakët dhe ata që vijnë dhe e vizitojnë këtë qytet, të thonë “mos u ndërtoftë më asnjë rrugë e re!”

Të ndërtosh një rrugë të re në një qytet, i ke dhënë zhvillim zonës e të gjithë komunitetit në përgjithësi. Një rrugë e re në memorien tonë do të thotë rrugë e gjerë pa gropa, e asfaltuar, me ndriçim, me trotuare. Tani ky model ka rënë, sepse modeli i Rilindjes është rrugë sa më e ngushtë, mundësisht rrugë vetëm për këmbësorë e jo për makinat.

Ndoshta ky është një model i mirë për socialistët, ndonjë demokrat tek tuk apo ata që nuk anojnë në asnjë krah, por për ata që jetojnë jashtë e nuk i njohin fare partitë që janë këtu, nuk e kuptojnë dot këtë model. Është modeli ku rrugët ngushtohen, ku parkingjet hiqen, ku rrethrrotullimet shtohen.

Ky model në fillim u zbatua në rrugën “Pavarësia” në plazhin e Durrësit, më pas në rrugën “Egnatia” e në rrugën Aleksandër Goga nga Mauzoleumi i Dëshmorëve deri tek gjykata.

Në të dy segmentet është duke u punuar aktualisht dhe qytetarët durrsakë po shikojnë sesi po zbatohen këto projekte. Trotuarët janë zgjeruar deri aty ku parkoheshin makinat, madhe edhe aty ku ecnin makinat.

Qytetarët janë dëshmitarë sesi po transformohen rrugët. Jo vetëm që u zhdukën koristë e parakalimit, por rrugët janë ngushtuar aq shumë sa zor se shkëmbehen dy makina me njëra-tjetrën, pikërisht në ato segmente që u ndërtuan nga Italia fashiste në 1940. Prej gati një shekulli rrugët ishin të gjëra ndërsa stili i Rilindjes i do sa më të ngushta.

Shumë qytetarë e vrasin mendjen se, kush ishte ai inxhinier që solli këtë stil, nga cili vend i Europës erdhi ky model?

Në cilin qytet të Europës ishte aq i sukseshëm sa për të zhdukur parkingjet e për të ngushtuar rrugët edhe në Durrës?

Kanë kërkuar në internet por nuk e kanë gjetur akoma shembullin i cili po zbatohet gati në çdo qytet të Shqipërisë. Po mbase ky nuk është shembulli i asnjë qyteti por i një inxhinier pa mend që i ka dhënë mend të gjithë rilindasve që duhet të veprojnë në këtë mënyrë në çdo qytet. Hodhi një gur në pus, e po e ndjekin pas të gjithë rilindasit.

Trotuaret janë bërë aq të gjerë sa qytetarët thonë se mbi to do mbijnë banesa 2+1. Ka edhe mendje djallëzore që thonë se trotuaret po zgjerohen që të bëhen me pllaka mermeri të bardha sepse kushtojnë shtrenjtë dhe fitimet janë të mëdha për ata që hyjnë në gara e tendera si këto.