Ditën e sotme po i  jepet lamtumira "Dëshmorit të Atdheut", major Klodian Tanushi, i cili ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni. 

Ndërkohë, kanë nisur homazhet për majorin në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Në këtë ceremoni po marrin pjesë një numër i madh ushtarakësh, të afërmish dhe figura politike. Ndërkohë në ceremoni të pranishëm janë edhe fëmijët e "Dëshmorit të Atdheut" që la pas. Djali i tij i madh 14-vjeçar, djali tjetër 11-vjeçar dhe vajza më e vogël 1-vjeçare.

Në nder të komandantit të kontigjentit shqiptar në Letoni sot është shpallur ditë zie kombëtare. Në të gjitha institucionet publike e private, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë.

Homazhet për "Dëshmorin e Atdheut", po zhvillohen në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, dhe do të vijojnë deri në orën 12:00.

Tanushi nuk mundi që t'i mbijetonte plagëve të marra si pasojë e shpërthimit të një mine gjatë misionit në Letoni. Kjo minë pasi i mori jetën në vend nëntetares Zarife Hasanaj, i kushtoi vdekjen edhe major Tanushit. Ai edhe pse u shtrua në spitalin e Rigës për disa ditë në gjendje të rëndë, humbi betejën me jetën  mbrëmjen e së premtes më 10 maj.