Një zjarr ka rënë pas mesnatës në spitalin rajonal të Durrësit, duke shkaktuar panik te pacientët dhe të afërmit e tyre, por fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar.

Zjarri ka përfshirë fillimisht kabinën kryesore të energjisë elektrike dhe rrjetin elektrik në gjysmën e spitalit nga kati i parë deri në katin e katërt, duke bërë që gjysma e spitalit të mbetej pa energji.

Operatori i “DurrësLajm” sjell këto pamje të filmuara në orën 01:00 të natës nga vendi i ngjarjes, ku kishin zbarkuar forca të shumta zjarrfikëse dhe efektivë policie, duke ndihmuar në evakuimin e pacientëve jashtë ambienteve spitalore, si dhe duke transportuar edhe shtretër me dysheqë për të sëmurët.

Sipas drejtoreshës së spitalit Nadire Jani, janë zhvendosur të gjithë pacientët e Neurologjisë dhe Kirurgjisë, ndërsa 5 prej tyre janë dërguar në Tiranë, pasi kishin nevojë për oksigjenim.

“Evakuimi i të gjithë pacientëve u bë pasi u shkaktua një tym i madh që përfshiu katin e parë e deri në të katërt. Fillimisht kanë ndërhyrë rojet e spitalit, derisa kanë ardhur zjarrfikëset e Durrësit. Lajmërimi i parë erdhi në 00:20, ndërkohë që shkaktoi shumë panik te pacientët dhe të afërmit e tyre që ishin në spital”, tha drejtoresha e spitalit.