Operacioni Forca e Ligjit rrethoi paraditen e sotme resortin “Golden” të familjes Hajri në Shijak, disa anëtarë të së cilës janë arrestuar për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës.

Në sitën e kësaj strukture, e cila operoi këtë të hënë për herë të parë në terren, do të jenë të gjitha objektet, pronat dhe llogaritë bankare të anëtarëve të kësaj familje, të afërmve të tyre apo personave të tretë që dyshohet se mund të jenë përdorur për të transferuar pasuritë e krijuara përmes aktivitetit kriminal. Policia dyshon se pasuritë burojnë nga aktivitete kriminale.

Familja Hajri është një nga emrat që drejtoria e Policisë Durrës i ka dërguar Policisë Kriminale. Paraprakisht mësohet se në adresë të këtij subjekti është dërguar një formular për deklarimin e pasurisë, si dhe për burimin e kësaj pasurie. Pamjet që po publikon DurrësLajm tregojnë momentet kur efektivët dhe mjetet e shumta të OFL-së kanë rrethuar resortin luksoz.