Zbulohen pamjet që tregojnë momentin e dorëzimit të Klement Balilit te drejtori i Policisë së Shtetit Ardit Veliu. Sikurse shihet në pamjet i shumëkërkuari Balili ka mbërritur me një makinë fuoristradë në një zonë të pabanuar mes Delvinës dhe Finiqit.

Pasi makina ka hyrë në zonë, prej saj ka zbritur një person që udhëtonte me Balilin. Më tej, mjeti ka vijuar rrugën për t’u ndaluar disa metra më pas, pranë disa godinave të pularisë, ku Ardi Veliu priste me një makinë së bashku me dy efektivë të tjerë policie, të cilët e kanë shoqëruar drejt Tiranës.

Balili u vetëdorëzua sot në orën 8:45 mes Delvinës dhe Finiqit, ndërsa ka qenë i shoqëruar nga nipi i tij Rigers Balili. Ky i fundit ka deklaruar se ka qenë edhe negociator mes Klement Balilit dhe policisë për dorëzimin.

Klement Balili është shoqëruar drejt Tiranës nga Veliu dhe u dërgua në ambientet e Komisariatit Nr. 6, ku pas marrjes në pyetje u dërgua në Drejtorinë e policisë së Tiranës. /opinion