Ditën e sotme u prezantua në Durrës fillimi i programit të financimit të Bashkimit Europian për restaurimin dhe rijetëzimin e monumenteve të kulturës të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit të vitit të shkuar.

Në qarkun e Durrësit, qarku më i goditur nga fatkeqësia natyrore, ishin të shumtë sitet e trashëgimisë kulturore që pësuan dëmtime.

Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca, nënvizoi gjatë fjalës së tij dhimbjen që kishte përjetuar për shembjen e një pjese të mureve bizantine të shekullit V të Durrësit, të cilat u kishin bërë ballë shekujve, por u rrëzuan nga lëkundja sizmike.

Por cilat janë sitet e trashëgimisë kulturore në qarkun e Durrësit që do të përfitojnë nga ky projekt?

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama deklaroi se “me këtë Program do të financohet për të ndërhyrë në Kalanë e Prezës; Do të financohet për të ndërhyrë në Kalanë e Durrësit; Do të financohet për të ndërhyrë tek amfiteatri, tek hamami mesjetar dhe tek muzeu Etnografik; Do të financohet për Kalanë e Krujës, për kullën e sahatit atje dhe për teqenë e Dollmës, duke vijuar me vetë muzeun e Skënderbeut dhe muzeun Etnografik; Do të financohet për kalanë e qytetit dhe muzeun Etnografik në Lezhë; Do të financohet për Kalanë e Bashtovës në Kavajë”.

Sipas Ramës, programi i BE-së nuk synon vetëm restaurimin e trashëgimisë kulturore, por kthimin e Durrësit dhe Krujës në destinacione mjaft tërheqëse që do të rrisin ndjeshëm numrin e turistëve të huaj, gjë që do të japë domosdoshmërisht edhe impaktin e vet në ekonomi.

“Jam i bindur që falë këtij Programi, qoftë në Durrës, qoftë në Krujë, këto dy pika kaq fantastike nga pikëpamja e potencialit do të sjellin një impakt të madh ekonomik e do të shtojnë kapacitetin tërheqës të Durrësit e të Krujës, në radhë të parë, për të pasur më shumë turistë, më shumë vizitorë, më shumë konsum, më shumë vetëpunësim, më shumë shërbime”,- tha Rama.