26/02/2020 - 20:47
Mëngjesin e sotëm, veliera “Tiara”, me 4 turistë në bord, kishte ngecur në bregdetin e Durrësit, në afërsi të Sfinksit.
Edhe mbrëmjen e sotme, veliera vazhdonte të ishte në të njëjtin vend, ku u pa në orët e para të mëngjesit nga shumë qytetarë durrsakë që frekuentojnë shëtitoren “Taulantia” dhe lokalet buzë detit.
Moti i keq që ka përfshirë gjirin e Durrësit që nga mbrëmja e së martës e ka bërë të pamundur ndërhyrjen e autoriteteve detare shqiptare për të rimorkiuar velierën që vinte nga Mali i Zi dhe kishte destinacion Turqinë. Duket se veliera do të vazhdojë të qëndrojë aty deri në përmirësimin e kushteve të motit.
Më herët, gjatë ditës, Drejtoria e Përgjithshme Detare njoftoi se për 3 ditë me rradhë (26.27 dhe 28 shkurt) bregdeti do të ishte nën “pushtetin” e motit të keq, shoqëruar me erë të fortë.
DPD u bëri apel subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë që të tregojnë kujdes dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme “për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese”.
/portali DurresLajm/