Prej 10 ditësh që nga vdekja në Ksamil e pushueses 15-vjeçare ruse, të gjitha mjetet lundruese që përdoren për argëtimin e turistëve në ujë, janë bllokuar edhe në bregdetin e Durrësit.

Me një njoftim verbal të policisë kufitare, drejtuar të gjithë subjekteve që operojnë në Adriatik, nuk lejohet më qarkullimi i asnjë prej motorëve të ujit.

Kjo masë shtrënguese duket se ka sjellë edhe reagimin e parë të subjekteve që operojnë në zonën e Durrësit, të cilët prej vitesh kanë qenë të disiplinuar në drejtim të lëvizjes së mjeteve lundruese. Janë një numër i konsiderueshëm subjektesh të cilët pranë resorteve të tyre turistike, kanë vendosur të gjithë sinjalistikën e nevojshme për motorët e ujit.

Ata thanë se policia kufitare me këtë vendim ka pezulluar aktivitetin pa asnjë shkak, kjo sepse motorët e ujit në Durrës janë të disiplinuar me vendstacione të përcaktuara dhe operojnë kundrejt lejeve që lëshon policia kufitare për lundrimin e tyre. Ata thonë se janë licencuar dhe kanë paguar detyrimet konform të gjtha rregullave të vendosura nga ana e strukturave të shtetit, mirëpo në pikun e sezonit veror, atëherë kur ka edhe punë me këto mjete, policia i ka bllokuar.

Subjektet i janë drejtuar policisë kufitare me disa ankesa, por deri tani nuk ka asnjë masë prej tyre në drejtim të lejimit të funksionimit të këtyre mejteve që shërbejnë për t’u argëtuar të apasionuarit dhe turistët në lojërat e tyre në det.

K.H.