Urbanisti i njohur Ardian Muka, në një intervistë për DurrësLajm analizon impaktin që dy investime miliona euro do të japin në qytetin bregdetar.

Bëhet fjalë për Velierën dhe shëtitoren “Taulantia”, projekte që pritet të finalizohen deri në fund të vitit. Të dyja së bashku kapin vlerën rreth 9 milionë euro, ndërkohë që po realizohen në një nga zonat më të frekuentuara të Durrësit, lagjen nr.1.

Për urbanistin Muka, “dy projektet miliona euro i kanë sjellë më shumë probleme qytetit sesa benefite”.

Veliera dështoi t’i jepte zgjidhje problematikës së transportit në këtë nyje të rëndësishme përsa i përket lëvizjes së mjeteve, por edhe këmbësorëve. Sfidë më vete do të jetë edhe vendosja e Velës, pasi nga pikpamja teknike procesi është i komplikuar.

Ndërsa përsa i përket shëtitores bregdetare, Ardian Muka shprehet se në vend të gjelbërimit 3D, qytetarëve ju servir beton, ndërsa ngre dyshime për punimet e realizuara në të, të cilat mund të mos jenë kryer konform standardeve të kërkuara.

“Është hedhur beton që për mendimin tim është jashtë kushteve cilësore, pasi kur bëhet fjalë për projekte të tilla buzë detit betoni duhej të trajtohej me çimento speciale. Në prezencë të kripës duhet përdorur çimento antisulfat, që nuk hyn në reaksion me të. Me kalimin e kohës ky investim do nxjerrë në pah problematikat e veta”,– thotë Muka.

I pyetur nëse këto miliona euro të përqendruara në shumë pak metra katrorë të qytetit mund të investoheshin dikur tjetër për të pasur një impakt më të madh urban, Muka shprehet se Durrësit vazhdojnë t’i mungojnë zonat e lira ekonomike apo parku industrial.

Duke pasur parasysh, rëndësinë që merr arkeologjia dhe historia në qytetin 3 mijë vjeçar, Muka shprehet se këto miliona mund të ishin shpenzuar mirë, nëse do të ishin përdorur për zbulimin e plotë të amfiteatrit apo të kishin shkuar për Muzeun Arkeologjik.

“Me vetëm një pjesë të shumës së përdorur për Velierën dhe shëtitoren mund të kishin shndërruar amfiteatri njësoj si ai i Veronës”,– thotë urbanisti.

Si një nga njerëzit që për shumë kohë ka kundërshtuar projektin Veliera, Muka shprehet se do ishte mirë që projekti t’i nënshtrohet një referendumi popullor dhe të jetë pikërisht sovrani popull, që do të vendosë nëse objekti duket ruajtur, ndryshuar apo prishur.

“Me disa ndërhyrje pak të guximshme ky projekt mund të rehabilitohet”,- thotë Muka, ndërsa thekson se gjetjet historike që u zbuluan gjatë gërmimeve për sheshin e Velierës dhe që tani janë të shikueshme vetëm përmes tre rrethoreve prej xhami duhet të valorizohen për t’i dhënë rëndësinë e duhur edhe për sytë e turistëve të huaj.

Në të njëjtën kohë, afërsia e Velierës me portin detar, arenë e ngjarjeve të dhimbshme siç ishin eksodet e vitit 1991, mund të përdorej sipas urbanistit për të ndërhyrë në projekt dhe sjellë në memorien kolektive ato momente të paharrueshme për një komb të tërë, të sapo dalë nga një prej diktaturave më të ashpra në Evropë.

M.B.