Një nga banorët që preket nga prishja e banesës, Osman Hysa, përfaqësues i 153 familjeve që preken nga projekti i rehabilitimit të lumit të Lanës, me lot ne sy ketë mëngjes nuk i ka kursyer akuzat për qeverinë.

“Ku fjetën ata banorë të cilët ju prishën banesat dje? Kjo është pyetja që shtroj unë sot. Shteti po i helmon këta qytetarë si kobra”.

Mes të tjerash ai pyeti nëse shteti e dinte se ku e vuri kokën mbrëmë djali që u shfaq në videon pak ditë më parë, ku qante pasi policia po i shoqëronte të atin.

“Kobra helmon me dy mënyra, me kafshim dhe me spruca helmi që të hedh në fytyrë. Kështu na e hodhi shteti. Dhe deputetja (Elona Gjebrea) që na vuri në gjumë dhe na tha se s’do na shembej shtëpia. Janë vërtet 153 banesa, por janë mbi 700 banorë që dalin rrugëve dhe nuk dihet se ku do shkojnë. Nuk dihet se ku e ka vënë dje kokën ai djali i famshëm që bërtiste ‘Jo, jo jo’. Unë e kam të legalizuar banesën, por ai që nuk e ka ku do shkojë? Nuk është thënë asgjë se ç'a do marrin, dhe si do bëhet. S’kemi asnjë informacion”, tha Hysa.