Task Forca e ngritur pranë institucionit të Prefekturës Durrës prej mëse dy javësh është angazhuar në një aksion të gjerë në terren për të garantuar mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe dhënë zgjidhje një sërë problematikash të konstatuara në vitet e kaluara.

Prefekti Roland Nasto ka inspektuar vetë një ditë më parë plazhin e Gjirit të Lalzit. Ndërkohë, gjatë të mërkurës, Task Forcë po ushtron kontrolle në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Për DurrësLajm, prefekti Nasto thotë se prioritet i punës së Task Forcës vendore mbetet krijimi i hapësirave publike për pushuesit në plazhe, vendosja e tabelave dhe pajisja e kullave të vrojtimit me rojet bregdetare.  

Nga vitet e kaluara, një problematikë e mbartur kanë qenë vendbazimet e motorëve të ujit. Aktualisht janë mbyllur dy vendbazime në Shkëmbin e Kavajës dhe plazhin e madh, ndërsa 4 të tjerë që kanë vendosur gjithë sinjalistikën e nevojshme operojnë normalisht. 

Prefekti pranon se të gjitha problematikat e konstatuara në terren nuk mund të marrin zgjidhje gjatë këtij sezoni turistik. Për këtë arsye, ai thotë se ka marrë kontakte me ministritë respektive për të bërë ndryshimet e nevojshme në legjislacionin ekzistues në mënyrë që sezonin e ardhshëm gjithçka të funksionojë më së miri dhe turistëve e pushuesve t’u ofrohen të gjitha shërbimet e nevojshme.   

Prefekti Nasto deklaron se Task Forcë do të jetë operacionale përgjatë gjithë sezonit veror për të monitoruar nga afër çdo problematikë që do të konstatohet dhe për të ofruar zgjidhjet respektive.

M.B.