Nga Bujar Qesja

Një lajm i dhimbshëm vjen nga qyteti i Vlorës. Ka ndërruar jetë, pas një goditje në zemër, në moshën 64 vjeçare, një nga yjet e humorit vlonjat. Ai është miku ynë i madh, Muhamet Liko.

Parodistët e Vlorës, ishin të ftuar në të gjitha veprimtaritë artistike që zhvilloheshin në Durrës dhe ishim bërë me ta, si një familje e madhe. Kur u takuam herën e fundit, ku është fiksuar edhe kjo foto, në pas kuintat e skenës së teatrit “A. Moisiu” me 26 tetor 2018, Meti m’u ankua nga zemra. Në mos gaboj, më tha që kishte qenë edhe në Itali për disa vizita. Por humori i tyre ishte i tillë, që edhe këto momente të vështira të jetës së tyre, i kalonin me sportivitet.

Paradistët e Vlorës, me Mane Lumanin, por pas një operacioni në grykë iu fik zëri, me Agron Hamon, Afrim Agalliun dhe Muhametin tonë, ishin të jashtëzakonshëm me humorin e tyre. Serioziteti i tyre shkonte deri atje, që sa herë vinin në Durrës prezantonin repertor të ri.

Largimi nga jeta i Metit tonë të mirë, na ligështoi pa masë. Humbja e tij është edhe një goditje e rëndë, ndaj humorit të famshëm të parodistëve të Vlorës.

Ngushëllimet më të prekshme familjes së tij! 
Ngushëllime edhe dy miqve tanë, Agron Hamos dhe Afrim Agalliut!

Dheu i lehtë vëlla!

Me shumë dhimbje
Bujar Qesja

Durrës më: 30 maj 2019