Mbrëmë, në Durrës, në shtëpinë e tij familjare, ka vdekur Xhafer Vokshi,  i fundmi pjesëmarrës i gjallë i Kosovës  në Konferencën historike të Bujanit (1943-44). Xhaferi ishte djali i Ali Vokshit, nipit të Sulejman Vokshit, ish-komandantit të Ushtrisë Kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) dhe vëllai i Asim Vokshit, ish-luftëtar i brigadave internacionale të Spanjës Republikane të viteve1936-39.

I lindur në Gjakovë në vitin 1924, shumë herët, Xhaferi, bashkë me familjen emigroi në Shqipëri, prej nga u kthye në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Kosova u bashkua me Shtetin Shqiptar të okupuar nga Italia fashiste. I rritur dhe i ushqyer me ndjenja patriotike në një familje patriotike revolucionare pranë vëllait më të madh, Asimit, Xhaferi, që kur ishte në shkollë të mesme në Shqipëri, iu bashkua Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, njofton përmes një kumtese Kryesia e Veteranëve të LNÇ  të Kosovës. 

Xhafer Vokshi ishte edhe njëri nga pjesëmarrësit më të rinj të Konferencës Themeluese të Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit më 31 dhjetor 1943 e 1 e 2 janar 1944, në të cilën u miratua njëzërit Rezoluta historike e Bujanit, me të cilën Kosovës i njihej në mënyrë decidive e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje nga ish-Jugosllavia dhe bashkimi me Shqipërinë.