Prefekti i Durrësit, Emiljan Jani, ka reaguar në një intervistë për DurrësLajm ndaj shqetësimit të ngritur ditët e fundit nga pushuesit nga Kosova.

Emiljan Jani tha se pa praninë e operatorëve turistikë dhe të grupeve të interesit, por me praninë e Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe të drejtorisë së Rruga-ura e specialistëve të prefekturës u vendos devijimi i trafikut për pushuesit që mbërrijnë nga Kosova.

Sipas Janit, autobuzët e turistëve nga Kosova duhet të kalojnë nëpër unazën e plazhit dhe të mbërrijnë nëpërmjet rrugëve dytësore të kësaj zone në afërsi të rrugës “Pavarësia”.

Jani pranon se nga ky vendim i marrë prej institucioneve në Durrës përjashtohen autobuzët me turistë që vijnë nga vende të tjera në plazhin e Durrësit. Autobuzët me turistë të huaj qarkullojnë pa asnjë problem në rrugën e plazhit, sepse sipas prefektit janë më të pakët në numër, sesa autobuzët me kosovarë.

Të gjithë pushuesit e mbërritur nga Kosova, por edhe shoferët e tyre nuk kanë qënë në dijeni të këtyre masave që mori pushteti lokal, Ata e konsiderojnë diskriminim bllokimin e rrugës “Pavarësia” në plazh për kalimin e autobuzëve që mbërrijnë nga qytetet e Kosovës. 

K.H.