Qeveria është tërhequr nga ndërprerja e transmetimeve analoge. Durrsakët sot i kanë bërë presion qeverisë të tërhiqet nga vendime të cilat bien ndesh me masën duke favorizuar bizneset e mëdha.

Durrsakët, një pjesë e të cilëve janë në gjendje të keqe ekonomike, nuk kanë asnjë mundësi për të parë as televizorin, pas ndërprejes së transmetimeve analoge. Pavarësisht se për çdo muaj në faturë të dritave kanë paguar edhe taksën e televizorit erdhi një ditë dhe transmetimet analoge u ndërprenë duke bërë që çdo familjeje ti kërkohet të blejë një dekoder digjital nëse do që të shohë televizor në shtëpi.

Pikat e tregtimit të dekoderave janë në lulëzim sepse shumë qytetarë janë dyndur për të blerë dekoderin për të mos qëndruar në errësirë e të painformuar, por ka edhe shumë të tjerë që nuk e dinë akoma se çfarë është dekoderi.

Reagimi i durrsakëve është i ashpër sepse ajo kategori që nuk ka mundur dot ta blejë dekoderin për shkak të varfërisë ka mbetur në errësirë një ditë shtatori pas vendimit të qeverisë për të ndërprerë transmetimet analoge, vendim ky qe u shty deri më datën 15 janar të vitit 2019.

Më të prekur nga ky vendim janë mosha e tretë që me pensionin që marrin, nuk kanë mundësi të shpenzojnë për blerjen e dekoderit si dhe të paguajnë çdo muaj tarifat private për të parë televizor.

E si të mos mjaftonte e gjithë kjo, sërish në faturat e energjisë për çdo muaj do të kenë për të paguar tarifën e vendosur nga televizioni publik shqiptar.

K.H.