Kishte 16 ditë në terapi intensive në infektivin e Tiranës, por nuk mundi të mbijetojë. 77 vjeçari nga Kavaja mbylli sytë i vetëm pasditen e sotme.

Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se pacienti ndërroi jetë në mënyrë të papritur nga një infarkt miokardi.

Përveç koronavirusit, 77-vjeçari vuante nga disa sëmundje të tjera kronike.

Ndërkohë, sipas asaj që raporton Abc News, 77-vjeçari që humbi jetën sot në Infektiv, është nga Komuna e Synejit në Kavajë.

“77-vjeçari është dërguar në Tiranë në datën 16 të këtij muaji, ai ka një histori udhëtimi në Itali. Fillimisht ka kryer në vizitë në spitalin e qytetit të Kavajës dhe më pas është dërguar në Durrës. Në momentin që ka kryer testin për COVID-19 ka rezultuar pozitiv dhe është dërguar menjëherë në spitalin e Infektivit në Tiranë”.

Gjatë kohës që ka qenë i karantinuar ka shfaqur probleme shëndetësore.

Ndërkohë familjarët pasi morën përgjigjen për infektimin e 77-vjeçarit u karantinuan, ndërsa pas testit asnjëri prej tyre nuk rezultoi i prekur.