“Vihet re një neglizhencë në evidentimin, hetimin dhe goditjen e fenomenit të veprave penale që cenojnë regjimin juridik të tokës të tilla si ndërtimet e paligjshme, pushtimet e tokës, pronës si publike dhe private, ambienteve publike etj. Rasti i fundit i ditës së djeshme në Tirane tek Parku i Liqenit.”

Vetëm një ditë pas pezullimit të shefit të Komisariatit nr.1, për një ndërtim pa leje, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, paralajmëroi efektivët e policisë se rrezikojnë vendin e punës nëse neglizhojnë ndërtimet pa leje, zjarrvënien e pyjeve, pushtimin e tokës e krime të tilla të ngjashme.

Çako njoftoi se kjo kategori krimesh do të përfshihen në një plan masash të ngjashëm me atë me të cilin po punohet për parandalimin e kultivimit të kanabisit.

“Duke filluar që sot për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit lufta kundër paligjshmërisë në territor, për veprat penale të mësipërme do trajtohen nga Policia e Shtetit njësoj si po parandalohet dhe goditet fenomeni i kultivimit të lëndëve narkotike.  Edhe në këtë rast qëndrimi në punë do të vlerësohet nga kontrolli mbi këtë territor dhe në rastin më të keq edhe marrja në përgjegjësi penale.”