Kryetari në detyrë i bashkisë së Durrësit, Zhulien Varfaj, është takuar sot me ndërtuesit e Durrësit. Burime brenda mbledhjes, konfirmojnë për DurrësLajm se të gjithë ndërtuesit e pranishëm kanë marrë përsipër riparimin e dëmeve në pallatet e ndërtuara prej tyre.

Gjithsesi, nuk është e qartë sesa ndërtues që ndër vite kanë ndërtuar pallate shumëkatëshe në Durrës nuk ishin të pranishëm në mbledhje dhe nëse ata marrin apo jo përsipër riparimin e dëmeve.

Gjatë takimeve me kryeministrin Rama, ministri fuqiplotë Bledi Çuçi ka folur për rreth 60 ndërtues që kanë bërë pallate në të gjithë bashkinë.

Nga ana tjetër, krahas procesit të riparimit të pallateve të dëmtuara, policia e Durrësit ka nisur hetimet për çdo pallat të dëmtuar, në çdo lagje të qytetit dhe ka bërë gati dosjet për secilin ndërtim.

Pritet që në ditët në vijim të realizohen arrestimet e para për të gjithë shkelësit e ligjit.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Durrësit ka nisur që në datë 29 nëntor çështjen penale që i referohet tërmetit të datës 26, ku si pasojë e tij janë shembur një numër ndërtesash që kanë shkaktuar vdekjen e një numri personash.

Për këtë dyshohet se pasojat kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave pergjegjës si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nepunësit shtetëror të ngarkuar me mbikqyerjen e këtyre ndërtimeve.

Çështja është regjistruar për veprat penale; “Ndërtim pa leje”, dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 199/a, 3 dhe 248 të Kodit Penal.