Në këtë vend, çuditë nuk kanë të sosur! Në vendin ku grabiten paratë e bankave ditë për diell, ku grabiten identitetet e njerëzve dhe gjithçka materiale, kishin mbetur pa u grabitur vetëm lulet në lulishte, por edhe atyre u erdhi radha.

Mirë që prej ndërtimit të sheshit "Liria" qytetarët durrsakë nuk kishin parë gjelbërim me sy, por edhe kur ndërmarrja e gjelbërimit u kujtua për të mbjellë lule në ato pak vende të lëna pa u shtruar pllakat e mermerit, ka ndodhur çudia.

Punonjësit e gjelbërimit mbjellin lulet paradite ndërsa mëngjesin tjetër ato shkulen dhe vidhen. Rasti konkret ka ndodhur para bashkisë së qytetit ku lulet e mbjella në ato kuadrate të vegjël të destinuar për lulishte që thyejnë të nxehtin që çlirojnë pllakat e mermerit janë vjedhur nga persona ende të paidentifikuar.

Edhe lulet e mbjella përgjatë rrugës nga sheshi "Liria" deri te godina e gjykatës po ashtu janë shkulur e janë vjedhur. Denoncimi është bërë nga punonjësit që në mëngjes duhet t’i ujisnin lulet.

K.H.