Ndotja e madhe e krijuar nga kolektori i ujërave të larta rrezikon shëndetin e rreth 600 banorëve të lagjes nr. 14 në Shkozet të Durrësit. Era e rëndë që kundërmon gjithandej, ua ka bërë jetën të padurueshme, ndaj ata kërkojnë që të merren masa urgjente për zgjidhjen e këtij problemi. Disa herë këta të fundit i janë drejtuar përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe atij qendror për mbylljen e kolektorit të ujërave të larta që përshkon mes përmes lagjen e tyre.

Sipas tyre, në këtë kanal që nis nga zona e Plepave dhe përshkon zonën e plazhit, Shkozetit dhe Kënetës, në mes të blloqeve të banimit, derdhen ujërat e zeza të qindra familjeve. Sikur kjo të mos mjaftonte, në anë të kanalit kullues hidhen pa kriter mbeturina nga vetë banorët e zonës duke e kthyer kështu në vendgrumbullimin kryesor të mbetjeve për këdo.

Qëndrimi dhe banimi në Shkozet duket praktikisht i pamundur. Deri vite më parë, ky kanal funksiononte si kanal kullues, por me shtimin e numrit të popullsisë, ndotja ka ardhur në rritje. E ndërsa dritaret e shtëpive nuk mund të hapen për asnjë moment nga aroma e rëndë të cilën lehtësisht mund ta ndjesh edhe pse mund të jesh kilometra larg.

Kjo katastrofë mjedisore shkaktohet edhe nga vetë banorët e zonës nga ku këta të fundit nuk ngurojnë të tregojnë se janë po ata vetë të cilët hedhin jashtë çdo koshi mbeturinash mbetjet e tyre.

Nga ana tjetër, ata shprehën se paguajnë rregullisht taksat ndaj bashkisë, ndriçimin, gjelbërimin, krahas faturave të tjera, ndërkohë që këto shërbime nuk ekzistojnë në këtë lagje.