Grumbuj të mëdhenj mbetjesh depozitohen larg syrit të njerëzve, por në mënyrë pemanente ato ndikojnë në mjedis e në jetën e komunitetit.
I tillë është rasti në qytetin e Krujës, ku grumbujt e mbetjeve të ndryshme urbane grumbullohen pas një kodrine, me qëllim shmangien nga sytë e publikut e më pas ju vihet zjarri.
Pranë fushës së depozitimit të mbeturinave janë të varfërit e zones, të cilët bëjnë riciklimin me duar. Ata tregojnë se plehrat e Fushë-Krujës, madje dhe nga rrethinat e Tiranës, hidhen pikërisht këtu, ndaj ata përpiqen të sigurojnë ndonjë material të vlefshëm.
Ndërsa banorët e lagjes pranë mbetjeve tregojnë tmerrin që përjetojnë çdo ditë. Tymi i shkaktuar nga djegia e mbeturinave shpërndahet përreth duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme, duke rrezikuar prekjen e banorëve të zonës nga sëmundje të ndryshme.
Jeta e këtyre banorëve është bërë e vështirë si rezultat i plehërave. Qyteti i Krujës konsiderohet ndër zonat e preferuara turistike, falë dhe Muzeut të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeut, gjithashtu dhe parkut kombëtar të Qafë Shtamës, e cila preferohet nga vizitorë vendas dhe të huaj. Por turistët duhet të përballen me këtë panoramë aspak të hijshme.
K.H.