Dy grabitje dhe një tjetër e mbetur në tentativë kanë ndodhur në harkun kohor të një muaji në Durrës.

Më 14 dhjetor 2018, 3 persona të maskuar dhe të armatosur grabisnin para një banke të nivelit të dytë në Shkozet 75 milion lekë, xhiro ditore e drejtorisë së Patentave, që punonjësit e policisë private po i dërgonin në bankë. Tre personat u larguan me një automjet në drejtim të Shijakut. Pas hekurave ndodhen vetëm dy punonjës të policisë private, ndërsa për grabitësit deri më tani nuk dihet asgjë.

Më 27 dhjetor 2018, tentohet të grabitet bankomati i një banke në qendër të Shijakut. Grabitësit përdorën sende të forta për grabitjen, por policia njoftoi se nuk mundën ta realizonin vjedhjen e parave. Grabitësit u larguan në drejtim të paditur dhe deri më tani policia nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen.

Mbrëmjen e sotme, 12 janar 2019, një biznesmen në Shkozet grabitet nga tre persona të maskuar si policë. I marrin 10 mijë euro, madje dhe djalin, të cilin fatmirësisht e lëshojnë pak km më tutje. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po merr në pyetje biznesmenin dhe familjarët e tij për të zbardhur ngjarjen. Sërish grabitësit largohen në drejtim të paditur dhe policia ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Tre ngjarje të rënda, rreth 87 milion lekë të vjetra të grabitura në total, vetëm dy policë privatë pas hekurave, asnjë grabitës i ndaluar. E gjithë kjo në harkun e vetëm një muaji në qytetin bregdetar.

M.B.