Në prag të festës së Krishtlindjes, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ndihet i gëzuar për faktin se buxheti i hartuar nga administrate bashkiake mori dritën jeshile nga Këshilli Bashkiak.

Nëse në muajin nëntor, buxheti nuk arriti të merrte votat e nevojshme dhe u rrëzua, këtë herë, falë votave të këshilltarëve të PS, të cilëve iu bashkuan edhe votat e LSI, PR dhe PDIU, buxheti kaloi me 26 vota pro.

Menjëherë pas votimit, kryebashkiaku Dako u shpreh para këshilltarëve se buxheti i vitit të ardhshëm është një buxhet që prek të gjithë shtresat e shoqërisë dhe njëkohësisht i hap perspektivën Durrësit për zhvillimin e ardhshëm 3-vjeçar.

“Me votën tuaj sot i hapët rrugë punës së bashkisë së Durrësit në dobi të qytetarëve. Është një buxhet i balancuar, një buxhet që prek të gjitha shtresat e shoqërisë nga ato në nevojë, tek qytetarët që jetojnë në qendër të Durrësit. Ka shërbime të mira për furnizimin me ujë në këtë buxhet, ka shërbime për rregullimin e infrastrukturës rrugore dhe asaj shkollore. Shpresoj që ky buxhet do të përkthehet në vende pune, në një jetë më të mirë për qytetarët e Durrësit dhe nga ana tjetër hap perspektivë, sepse është një buxhet i hartuar për tre vite, nuk është vetëm një buxhet 1-vjeçar”,- tha Dako.