Pak ditë nga nga hapja e sezonit turistik në Durrës, koha e paqëndrueshme dhe me rreshje të vazhdueshme shiu e shoqëruar me temperaturë relativisht të ulët ka penguar ardhjen e pushuesve në këtë plazh.

Përgatitjet e biznesit por edhe të pushtetit lokal janë penguar nga koha e keqe. Qindra në mos mijëra tonelata me leshterikë ka nxjerrë deti i trazuar në breg gjatë ditëve të fundit, duke shtuar kështu kërkesat e të gjithëve për të nisur pastrimin e bregdetit.

Bashkia e Durrësit me ndërmarrjet në varësi të saj ka vonuar nisjen e pastrimit të bregdetit gjatë këtij sezoni për shkak se edhe sinoptikanët kanë parashikuar që moti i keq dhe me erë do të vijojë edhe për disa ditë të tjera.

Gjatë fundjavave, plazhi i Durrësit kthehet në një pedonale gjigande për qytetarët e të gjithë moshave, të cilët jo vetëm shëtisin por edhe kryejnë aktivitete fizike të ndryshme.

As bizneset këtë vit nuk kanë nisur përgatitjet e duhura pasi në bashki nuk ka mbërritur akoma vendimi i Këshillit të Ministrave që përcakton udhëzimet dhe masat që duhet të marrin autoritetet lokale dhe operatorët e biznesit përgjatë vijës bregdetare.

Qytetarët thonë se vëmendja duhet të jetë e shtuar në drejtim të higjienës dhe pastërtisë, sepse plazhi i Durrësit, më i madhi në vend mbetet edhe më i frekuentuari.

K.H.