Mbetet i pakonfirmuar denoncimi i një dite më parë i ish-deputetes demokrate, Albana Vokshi se mësues në gjimnazin “Gjergj Kastrioti”, dy drejtues në shkollën 9-vjeçare “Qemal Mici”, mësues në gjimnazin “Naim Frashëri”, mësues në shkollën 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë”, nëndrejtor në Gjimnazin “Leonik Tomeo” etj., janë prekur nga koronavirusi.

E kontaktuar nga “DurrësLajm”, drejtoresha e ZVA Durrës, Jonida Matohiti shprehet se nëse ndodh që një mësues të konfirmohet pozitiv, vihen në punë institucionet përkatëse për respektimin e çdo mase anticovid sipas protokollit, pasi në çdo sekondë kanë në vëmendje jetën e nxënësve, mësuesve dhe gjithë familjarëve të tyre.

“Në rastin se në shkollë rezulton 1 mësues pozitiv menjëherë koordinatori i shëndetit njofton mjekun e familjes. Më tej kryhet hetimi epidemiologjik dhe shëndetësia përcakton dhe listen e mësuesve që karantinohen. Nga ana e ZVAP menjëherë merren masa për zëvendësimin e punonjësve të karantinuar dhe respektohen në maksimum masat që përcakton protokolli i ISHP. Për mbylljen e institucionit është Task-Forca që vendos. Në çdo sekondë kemi në vëmendje jetën e nxënësve, mësuesve dhe gjithë familjarëve të tyre”, thotë ajo.

Nga ana tjetër, në një komunikim telefonik, burime nga ISHP pohojnë se nuk kanë informacion lidhur me listat e të infektuarve.

Ndërkohë drejtoresha e gjimnazit “Gjergj Kastrioti”, Enkelejda Trungu Alizoti pohon se “të paktën deri më sot, nuk është e vërtetë që në gjimnazin “Gjergj Kastrioti” ka mësues të konfirmuar me Covid-19.”

G.D.