Paraditen e sotme, shkëputja e një pjese të suvasë së tavanit në një klasë të shkollës 9-vjeçare ‘Osman Myderizi’ në kryeqytet la të lënduar mësuesen Elbarina Toshkollari.

Fatmirësisht mësuesja mori lëndime të lehta, por ngjarja e sotme është dëshmi e kushteve të vështira në të cilat zhvillohen orët mësimore në shumë shkolla të Shqipërisë, madje edhe tek ato të rikonstruktuara së fundmi.

Duke marrë shkas nga ngjarja e sotme në Tiranë, DurrësLajm po publikon disa nga fotot e shkrepura gjatë një vizite të përfaqësuesve të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në shkollën e mesme “Leonik Tomeo”.

Më shumë sesa nisma “Edukimi përmes kulturës” që zhvillohej disa ditë më parë në një nga klasat e kësaj shkolle të mesme, tërheq vëmendjen suvaja e njërës prej faqeve të murit dhe një pjese të tavanit.

Ato që në sfond mund të duken si harta gjeografike apo historike, janë në të vërtetë “hartat” e lagështirës, që ka krijuar një ambient aspak të përshtatshëm për zhvillimin e orëve të mësimit.

Pa dashur të bëjmë “Kasandrën” (parashikuese e famshme e lashtësisë), publikimi i këtyre fotove mund të sjellë në vëmendjen e autoriteteve ndërhyrjen që duhet realizuar nëpër klasa, për t’i kthyer ato në ambiente të përshtatshme për zhvillimin e orëve të mësimit.

Në nëntor të vitit të kaluar, në shkollën 9-vjeçare "Vesel Brama" në fshatin Kurcaj të njësisë administrative Nikël, në rrethin e Krujës u ndërpre mësimi, pasi gjatë orës së pushimit, në klasa të ndryshme, ranë copa suvaje, aq sa mësuesit kujtuan se po binte tërmet.

Fati qe në anën e nxënësve, të cilët nuk ndodheshin nëpër klasa në momentin kur ndodhi ngjarja.

Nuk duhet pritur që ngjarjet të ndodhin, e më pas autoritetet të kujtohen se është e nevojshme ndërhyrja!