Është shtyrë për në muajin shkurt publikimi i një metodologjie të re të Komisionit Evropian, e cila ka për qëllim të ndryshojë mënyrën e negociatave të anëtarësimit për vendet aspirante në Bashkimin Europian.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero, e cila shton se metodologjia e re, do ta bëjë më të besueshëm procesin e zgjerimit në BE

“Komisioni është në proces të përfundimit të propozimit dhe ai do të paraqitet në javët e ardhshme. Me metodologjinë e re, ne duam ta bëjmë procesin e zgjerimit më të besueshëm, që do të thotë se nëse njëra palë përmbush detyrimet e saj dhe pala tjetër duhet të bëjë pjesën e vet. Ne duam të kemi një proces që do të jetë i dobishëm për të gjitha palët – si për Ballkanin Perëndimor ashtu edhe për institucionet e BE.

Ndërkohë, Komisioni Evropian këmbëngul që negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të hapen paralelisht me rregullat e reja.

“Ju e dini që për ne është shumë e rëndësishme që paralelisht me dakordësimin e vendeve anëtare për metodologjinë e re të ndryshuar, ne i qëndrojmë rekomandimit tonë se negociatat e anëtarësimit duhen çelur edhe me Shqipërinë edhe me Maqedoninë e Veriut. E kemi thënë shumë qartë që këto dy vende iu janë përgjigjur kërkesave që iu ishin drejtuar dhe koha është pjekur tashmë që edhe pala e BE-së të mbajë premtimin e dhënë,” theksoi zëdhënësja e KE.

Në mes të muajit shkurt Komisioni do të ndajë me vendet anëtare edhe një vlerësim mbi ecurinë e reformave në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut gjatë vitit të fundit, me synimin për të arritur drejt një vendimi të Këshillit për dy vendet gjatë samitit evropian të marsit në Bruksel.