Shkolla profesionale “Hysen Çela” ka marrë masa disiplinore për mësuesen që nuk pranoi në mësim 16-vjeçarin Anxhelo Gjokazaj, i cili u vra nga bashkëmoshatari i tij me thikë mesditën e së premtës së javës të kaluar.

Mëngjesin e kësaj të hëne u mblodh këshilli disiplinor i shkollës dhe vendosi si masë disiplinore paralajmërim për largim nga puna për mësuesen. Nëndrejtori i shkollës “Hysen Çela” Enio Doka, tha se këshilli disiplinor vendosi të paralajmërojë mësuesen me një masë disiplinore, pasi rregullorja e brendshme e shkollës përcakton se: në rast se ka probleme të natyrave të ndryshme me nxënësit, mësuesja duhet të lajmërojë prindërit e tij, për t’i vënë në dijeni.

Duke vijuar më tej, Doka theksoi se është thuajse i pamundur menaxhimi i nxënësve nga ana e mësuesve.

Gjatë marrjes në pyetje, mësuesja ka deklaruar se Angjelo kishte ardhur me 12 minuta me vonesë ndaj edhe i kishte kërkuar të vinte me prindërit. “Nuk kisha kë të lajmëroja, pasi babanë e ka emigrant dhe nënën e ka në punë deri në orën 16.00. Ndaj i kërkova të vinte me prindërit”, deklaroi mësuesja në mbledhjen e komisionit të disiplinës. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së premtes në Spitallë, ku Devi Lala qëlloi tre herë me thikë Anxhelo Gjokazajn. 16-vjeçari ndërroi jetë në spitalin e Durrësit.

K.H.