Dita e nesërme, datë 16 maj 2019 është shpallur, ditë zie kombëtare në nder të major Klodian Tanushit, i cili ra në krye të detyrës pas shpërthimit të një mine në Letoni ku humbi jetën gjithashtu edhe nëntetarja Zarife Hasanaj.

Në nder të major Tanushit, komandant i kontingjentit shqiptar në Letoni nesër në të gjitha institucionet publike e private, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë.

Komisioni Qendror i Statutit “Dëshmor i Atdheut”, nën drejtimin e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, ka shpallur major Klodian Tanushin, “Dëshmor i Atdheut”.

Trupi i Tanushit mbërriti sot në atdhe, ndërsa ceremonia e homazheve do të zhvillohet nesër te Muzeu Historik Kombëtar, nga ora 10:00-12:00.

Më pas, po në mjediset e Muzeut, do të mbahet ceremonia shtetërore në nder major Klodian Tanushit, përpara se arkivoli i mbuluar me flamurin kombëtar të vendoset në shtrat topi dhe të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve.