Me dëshirën e madhe për të mbërritur në tokën e premtuar, shumë shqiptarë provojnë mënyra nga ndryshme për të ikur në Britani. E teksa rrugët për në Angli sa vijnë e po mbyllen për shkak të kontrolleve të rrepta, Danimarka është fija e shpresës për ta.

Shumë e rrezikshme por jo aq sa të pengojë shqiptarët të shkojnë në Angli, një ndër mënyrat kryesore mbetet ajo me kamion. Duke përfituar nga lëvizja e lirë, shqiptarët mund të udhëtojnë pa viza në Danimarkë, si pjesë e zonës Schengen, por jo në Britani. Prandaj ata përdorin Danimarkën si “urë” për të shkuar në Angli.

Sipas mediave daneze, çdo vit tragetet dërgojnë më shumë se 20,000 kamionë në Angli, por duket se kohët e fundit në ngarkesa përfshihen dhe shqiptarë.

Prej disa muajsh porti i Esbjergut ka përjetuar rritje të trafikut nga shqiptarët, të cilët hyjnë ilegalisht në zonën e portit dhe fshihen në dhe nën kamionët që dërgohen me tragete në Britani të Madhe.

Udhëtimi për në Kanalin Anglez zgjat 18.5 orë, por kjo nuk i ndalon shqiptarët që të provojnë dhe këtë mënyrë që shihet dhe si e vetmja për ta që të arrijnë në Angli.