Nga dita e sotme (15 tetor), mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme për t’u mbajtur kudo në ambientet jashtë shtëpisë dhe prej mbrëmjes së djeshme ka hyrë në fuqi Akti Normativ për masat e reja anticovid.

Ky akt mban firmën e kryeministrit Edi Rama, ministrave Sandër Lleshaj e Ogerta Manastirliu. Në rast shkeljeje të rregullit qytetarët gjobitem me 3 mijë lekë të reja, ndërsa në rast përsëritje gjoba shkon në 5 mijë lekë të reja.

“Të drejtën e dhënies se masës administrative për mospërdorimin e barrierës mbrojtëse (maskës) e ka Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake sipas modelit të gjobës të miratuar prej tyre. Ekzekutimi i kundravajtjes administrative do të kryhet nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duke u bërë pjesë e faturave të energjisë elektrike. Mënyra e ekzekutimit të kundravajtjes administrative nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrisë përgjegjëse për energjinë, ministrisë përgjegjëse për financat dhe ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë”,- theksohet në vendimin e qeverisë.