Nga sot, 1 qershor, shënohet edhe nisja e një faze tjetër me masa lehtësuese sa i përket COVID-19! Nga sot, nuk do të ketë më zona të kuqe apo të gjelbra, që përkthehet në liri-dalje pa kufizime orari dhe drejt të gjitha zonave në vend.

Gjithashtu, më 1 qershor, në ditën që u dedikohet atyre, fëmijët e vegjël do të shkojnë në kopshte dhe çerdhe, pas 3 muajsh të mbyllur në shtëpi. Me hapjen e kopshteve dhe çerdheve, do të hapen edhe parqet dhe këndet e lojërave. Te parku “Rinia” kanë përfunduar punimet dhe është gati që të mirëpresë fëmijët.

Edhe kufijtë tokësorë do të hapen dhe është hequr edhe detyrimi i vetëkarantinimit, përveç rasteve kur vendoset nga autoritete shëndetësore. Lajmi i mirë është se hapen plazhet që menaxhohen nga struktura akomoduese, hotelet. Ndryshimi është se këtë vit, plazhet do të menaxhohen nga edhe restorantet, siç bëri të ditur më herët ministri i Turizmit Blendi Klosi. Ndërkohë, më vonë, më 6 qershor do të hapen plazhet për qytetarët, të cilët këtë sezon turistik do të kenë në dispozicion më shumë plazhe publike, ndryshe nga e kaluara.

Edhe për sportdashësit ka lajme të mira, pasi do të nisë kampionati i futbollit, edhe pse do të duhet që emocionet e ndeshjeve t’i përjetojnë nga televizori pasi nuk do të lejohen që të ulen në shkallët e stadiumit për të parë skuadrën e tyre të zemrës, me qëllim shmangien e grumbullimeve të mëdha të njerëzve.