Në një reagim për mediat, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit në vendin tonë që të mos bëhet mburojë e “Zhigolove” që janë maja e ajsbergut sa i përket ngacmimeve seksuale në shkolla, sipas tyre.

KSSH thotë se ka konstatuar që fenomeni i ngacmimeve seksuale nuk është vetëm në shkollën e mesme “Jakov Xoxa” në Fier por në shumë shkolla në të vendit, e për shkak të mentalitetit të shoqërisë sonë këto raste nuk denoncohen.

“Ministria e Arsimit po e mban peng dinjitetin e arsimtarit shqiptar përmes një kontratë kolektive abuzive që është subjekt i një procesi gjyqësor.”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

REAGIMI I PLOTË

Ministria e Arsimit nuk duhet të fshihet pas gishtit dhe as të bëhet mburojë për skandalin e abuzimeve seksuale në shkollën e mesme artistike”Jakov Xoxa” në Fier.

Përveç mësuesit të kantos Agron Bego më të cilin tashmë po merren organet e rendit, edhe mësuesit e akuzuar në  emisionin STOP në TV Klan për abuzime seksuale në këtë shkollë duhet të bëhen  sa më shpejt objekt i një hetimit si nga ana e Ministrisë Arsimit ashtu edhe organeve të rëndit

KSSH përmes burime të saj të informacionit ka dalë në konkluzionit se akuzat e bëra nga këta nxënës nuk janë të pabaza, ndaj inkurajojmë të tjerë nxënës dhe ish nxënës që ti drejtohen medias dhe institucioneve ligjzbatuese dhe të denoncojnë çdo rast të abuzimit seksual nga ana e mësuesve karshi nxënësve.

Me keqardhje KSSH konstaton se ky fenomen nuk është vetëm në shkollën e mesme “Jakov Xoxa” në Fier por në shumë shkolla në të vendit, por për shkak të mentalitetit të shoqërisë sonë këto raste nuk denoncohen.

Ministria e Arsimit policia dhe prokuroria duhet të nisin një hetim në shkallë të gjerë për abuzimet seksuale në shkolla. Sot nxënësi shqiptar është i ekspozuar përballë ngacmimeve seksuale nga mësuesit dhe dinjiteti i mësuesit është rrezikuar nga padija e drejtuesit militant.

Një tufë mësuesish perversë nuk mund të njollosin emrin e arsimtarit shqiptar karriera e të cilit është ngritur mbi djersë dhe sakrifica. Ministria e Arsimit po e mban peng dinjitetin e arsimtarit shqiptar përmes një kontratë kolektive abuzive  që është subjekt i një procesi gjyqësor.

Kjo pseudo-sindikatë sot nuk e nge zërin për asnjë fenomen shqetësues dhe e vetmja punë që dinë të bëjnë është të ndajnë kuotat e anëtarësisë me drejtorët e zyrave arsimtare dhe zyrtarucët e Ministrisë Arsimit.

Arsimi shqiptar po kalon ditë të vështira për shkak të paaftësisë së drejtuesëve të Ministrisë Arsimit të cilët nuk janë aty për një mision por për korrupsion.