Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dhuruar Ministrisë së Brendshme pesë paketa të kontrollit poligraf, të njohura ndryshe si makina të së vërtetës.

Makineritë janë dhuruar për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe do të përdoren për testimin e aplikantëve që do të kandidojnë për tu bërë pjesë e saj. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar se pajisjet do të përdoren nga poligrafë të trajnuar nga SHBA.

“Këtë javë, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) hodhi një tjetër hap përpara drejt ngritjes së saj me dhurimin e pesë paketave të kontrollit poligraf nga qeveria e Shteteve të Bashkuara për Ministrinë e Brendshme. Pajisjet do të përdoren nga poligrafë të trajnuar nga Shtetet e Bashkuara, të cilët do të kryejnë testimet e aplikantëve për Byronë Kombëtare të Hetimit, për të ndihmuar në ruajtjen e standarteve më të larta të integritetit. Dhurimi dhe certifikimi i poligrafëve është pjesë e një program dhjetë javor, financuar nga Byroja e Departamentit të Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës nëpërmjet Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnime në Hetimet Penale (ICITAP). Drejtori i Përgjithshëm dhe ekipi menaxhues i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SIAC) – organizata që do të punësojë shqyrtuesit e poligrafeve – iu bashkuar drejtuesit të programit ICITAP dhe drejtueses së INL në Shqipëri për ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve”, shkruhet në postimin e Ambasadës. 

Testi i poligrafisë përdoret në të gjithë botën me pretendimin për të nxjerrë të vërtetën pasi ka një marzh shumë të vogël gabimi. Ai bazohet në rrahjet e zemrës, djersitjen, uljen ose rritjen e temperaturës së trupit, ndërsa personi që është duke u testuar zakonisht përgjigjet vetëm me “po” ose “jo”.

BKH do të përbëhet nga një drejtor dhe një ekip hetuesish, të cilët duhet të përmbushin standarte të forta, të ngjashme me ato të FBI. Kryeprokurori i posaçëm i SPAK dhe dy prokurorë të Posaçëm do të zgjedhin drejtorin e BKH. Ky drejtor, do të drejtojë ekipet e hetuesve pasi të jenë zgjedhur për këtë mision. Atyre do t’ju monitorohen llogaritë bankare dhe telefonat përgjatë gjithë kohës, për t’u siguruar se do e zbatojnë me integritet detyrën dhe paanshmëri.