Vijon aksioni i Policisë Bashkiake në Durrës për t’iu rikthyer hapësira të tjera publike qytetarëve durrsakë. Forcat e policisë janë spostuar këtë të enjte në një segment tjetër të rëndësishëm të qytetit bregdetar, nga sheshi “Pranvera” në vazhdim të rrugës “Kasem Durrësi” deri tek ish-rajoni i policisë.

Aksioni për kthimin në identitet të lulishteve dhe lirimin e hapësirave publike, u zhvillua si gjithnjë në bashkëpunim me ndërmarrjen e Pastrim Gjelbërimit dhe me zyrën e taksave vendore, e në terren ka dalë edhe vetë kreu i Policisë Bashkiake, Vasip Çopa.

Puna po zhvillohet e qetë dhe pa probleme nga ana e pronarëve të subjekteve private, shumica e të cilëve janë ndërgjegjësuar pas paralajmërimit të dërguar nga Policia Bashkiake dhe kanë nisur t’i largojnë vetë objektet penguese në rrugë.

Prej muajit janar të këtij viti, Policia Bashkiake i ka rikthyer ‘oksigjenin’ shumë prej rrugëve kryesore në Durrës, në kuadër të fazave të njëpasnjëshme të aksionit për çlirimin e qytetit, duke u përqendruar në zgjidhjen e një problemi jo pak shqetësues siç ishte ai i zaptimit të rrugëve me karrige, tavolina, vazo lulesh, sfera betoni, kangjella hekuri etj.

S.L.