Grupi Task-Forcë i ngritur në Prefekturën e Durrësit ka nisur sot inspektimin e të gjithë vijës bregdetare me qëllim verifikimin e kushteve të plazheve që frekuentojnë pushuesit.

Bazuar në vendimin e këshillit të ministrave, në përbërje të grupit Task-Forcë janë përfaqësues të Policisë Bashkiake, Policisë së Rendit, Inspektoriatit Ndërtimor, Shëndetit Publik dhe Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale.

Aksioni ka nisur tek Ura e Dajlanit dhe do të shtrihet deri në kufi me plazhin e Golemit, i cili është pjesë e bashkisë Kavajë. Gjatë ditës së sotme inspektorët e Policisë Bashkiake kanë vendosur tabelat për përcaktuimin e vendeve për plazhe publike dhe në plazhin e madh të Durrësit do të jenë 6 të tillë.

Pushuesit kërkojnë marrjen e masave për të mos lejuar shitësit ambulantë që tregtojnë produkte të ndryshme ushqimore, pasi ato janë të pakontrolluara, ndërsa shtojnë se duhen krijuar më shumë hapësira mes çadrave. Grupi i Task-Forcës do të funksionojë gjatë gjithë sezonit turistik dhe ka për detyrë shtrimin e kontrolleve të vazhdueshme  për zbatimin e distancës nga bregu në vendosjen e çadrave, zbatimin e raportit të hapsirave plazh publik e privat sipas hartës së miratuar nga bashkia, zbatimin e kushteve higjeno sanitare, moslejimin në plazhe të shitësve ambulantë si dhe kontrollin mbi gjenerimin e zhurmave dhe vendbazimet e mjeteve sportive ujore.