Bashkia e Tiranës ka nisur punën për mbjelljen e pemëve në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre ekonomike shumica e bizneseve të kryeqytetit.

“Jam gjithmonë i lumtur sa herë që mbjellim pemë e më shumë pemë, e më pak sherr duhet të mbjellim në qytetin tonë, për të pasur harmoni. Sot kemi kaluar në zonën e Kasharit. Pasi kemi gjelbëruar edhe dy anët e autostradës, vazhdojmë me brezin e dytë, brezin e rrugës dytësore, aty ku ndodhet shumica e biznesit dhe ku është pulsi ekonomik i Tiranës. Ne do të merremi me konturin e rrugës”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili iu bashkua aksionit për mbjelljen e 100 fidanëve të parë, nga 1 mijë që do të mbillen në total në këtë segment. 

“Në total do të mbjellim rreth 1000 pemë në secilën anë, që do të kornizojnë rrugën dytësore të Tiranës. Megjithatë, ka një ftesë për bizneset: Në të gjitha hapësirat e parkingjeve të tyre, në hapësirat e brendshme, në oborre, mund të na ndihmojnë me gjelbërimin. Parimi është: për çdo makinë që përdorin këto biznese në qytet duhet të mbjellin 2 pemë”, tha ai.