Nis ndërhyrja në vendgrumbullimin e plehrave për shuarjen e vatrave të zjarrit dhe mbulimin e tyre. Pas urdhrit të parë të zëvendësministrit të Brendshëm Sandër Lleshi, drejtuar institucioneve në varësi në nivel lokal, për disiplinimin e mbetjeve urbane në vendgumbullime, prefektura e Durrësit ka organizuar punën për shuarjen e zjarreve.

170 deri në 180 tonë mbeturina në ditë grumbullohen në këtë fushë nga ndërrmarja komunale e Durrësit. Sot disa makina zjarrfikëse kanë punuar për shuarjen e zjarreve në fushën e grumbullimit të plehrave të Porto-Romanos, e cila është 222 mijë metra katror me 15 metra lartësi, ndërsa mjetet e rënda po punojnë për pastrimin e kanaleve dhe ngjeshjen e fushës.

Prefekti Roland Nasto deklaroi se në fund të këtij viti kalendarik nuk do të ketë më plehra që depozitohen në këtë fushë. Mbetjet do të dërgohen në Tiranë për riciklim, ndërsa fusha do të rrethohet si fazë e parë e saj.

“Për Emergjencat Civile në Durrës ky është një problem madhor mjedisor, sepse prej kësaj fushe duhet të largohen edhe qindra njerëz që punojnë aty duke bërë riciklimin e mbetjeve urbane, së  bashku me kafshët që kullosin në plehra”, tha Artur Lekbello, Shef i Emergjencave Civile.

Pak ditë më parë ishin studentët e “Aleksandër Moisiut” por edhe pedagogët që u ngritën në protestë duke kërkuar mbylljen e fushës së plehrave. Ata lanë një javë afat për të ndërhyrë përpara se klinika e ligjit në këtë universitet të nisë një betejë ligjore me bashkinë e Durrësit.

K.H.