Nisi mbrëmjen e sotme pastrimi i pjesës fundore të aksit rrugor në zonën e Currilave.
Mjetet e rënda të NSHK Durrës kanë nisur largimin e dherave, që përfunduan në asfalt gjatë ditëve të fundit, për shkak të reshjeve të dendura të shiut.
Rrëshkitja e dherave dhe argjilës nga faqja e kodrës së Currilave shkaktoi probleme në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve përgjatë këtij aksi.
“DurrësLajm” publikoi paraditen e sotme sekuencat filmike që dëshmonin problematikën e kësaj rruge, që çdo durrsak e sheh të përsëritur disa herë gjatë vitit.
Ndërprerja e reshjeve gjatë ditës së sotme i ka lehtësuar punën stafit të NSHK-së për të nisur aksionin për largimin e dherave të depozituara në njërin krah të rrugës.
Në Kodër Vilë u investuan në vitin 2015 rreth 2.3 milionë euro për rehabilitimin e kodrës me mbjelljen e pemëve dhe vendosjen e rrjetave të telit, si dhe ndërtimin e një shëtitoreje e cila përshkonte të gjithë këtë zonë.
Por ky investim nuk ishte jetëgjatë, pasi pa mbushur një vit, rrëshqitjet e dherave e prishën të gjithë strukturën e tarracimeve dhe të disiplinimit të ujërave; rrëshqitjet e dherave dëmtuan në mënyrë të pariparueshme shtratin e shëtitores por edhe muret mbajtëse dhe gjithçka tjetër.