Nis rehabilitimi i sheshit publik, faza e parë e Muzeut të Dëshmorëve. Punimet kanë nisur me rrethimin e pjesës së ish-parkingut, dhe pritet që të zgjasin 200 ditë kalendarike. 335 milionë lekë ka akorduar bashkia e Durrësit për fazën e parë të këtij sheshi, i cili do të marrë emrin sheshi “Drejtësia” në fund të punimeve që do të zgjasin prej 5 fazash në total, dhe përfshijnë ndërtimin e një nënkalimi për qarkullimin rrugor në nivelin minus pesë metra që ka niveli aktual i rrugës.

Kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, në një prononcim për “DurrësLajm” shpjegoi edhe pesë fazat e ndërtimit të këtij sheshi, i cili do të jetë bashkëfinacim i bashkisë dhe qeversë.

Në fazën e parë dhe të dytë pritet që traseja e rrugës të gërmohet nën nivelin pesë metra për të qarkullur mjetet dhe sipërfaqa lart të jetë shesh kalimi për këmbësorët. Me fillimin e punimeve, në këtë shesh pritet edhe devijimi i qarkullimit rrugor përkohësisht në rrugët dytësore të kësaj lagjeje për autobusët urbanë dhe makinat e tjera.

Punimet në fazën e parë prekin segmentin “Aleksandër Goga” në drejtim të spitalit, segmentin në drejtim të gjykatës dhe në drejtim të sheshit “Pranvera”. Mauzoleumi i Dëshmorëve dhe hapësirat brenda tij pritet të preken vetëm në fazën e tretë dhe katërt, ku është parashikuar që në të dy lulishtet brenda këtij objekti të ndërtohen godinat e Gjykatës dhe të Prokurorisë.

Ndjekim materialin e përgatitur.  

K.H.