Bashkia e Durrësit nis punën për riparimet e dëmeve nga tërmeti në Durrës. Në një postim në faqen zyrtare të institucionit të pushtetit vendor në rrjete sociale shkruhet:

“Për t’i ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti, punëtorët e “Ndërmarrjes Rruga”, pranë Bashkisë Durrës, po vazhdojnë punimet për sistemimin e banesave të ndërtuara para vitit 1993. #TiNukDoJeshKurrëVetëm

Punëtorët e Ndërmarrjes “Rruga” siç duket edhe nga fotot e publikuara po nga bashkia e Durrësit kanë nisur riparimin e një muri të dëmtuar në fasadën e pallatit.

Por ajo që të bën përshtypje janë komentet negative të qytetarëve të Durrësit, të cilët nuk janë aspak të kënaqur nga ciësia e punimeve që po kryhen në këtë godinë.

“Po kollonat??? Hajde ndertim hajde llac dhe tulla pa hekra nje termet. dhe serisht ne Toke, zoti ju rujte”,- shkruan një qytetar.

“Kontrolloni nese kane dokumentacion te miratuar nga ekspertet ,nese kane urdher pune dhe autorizimin qe kjo brigate duhet te kryeje keto punime. Mos lejoni te punohet pa dokumenta pune dhe mbani nga nje fotokopje te dini se kush ka punuar dhe cfare punimesh ka bere. Ka ardhur koha te kerkoni dhe jo vetem te bindeni.”, shkruan një qytetar tjetër (të gjitha komentet i gjeni në fund të shkrimit).

Duket se ndërhyrjet që po realizohen në terren po i lënë të pakënaqur qytetarët, të cilët kërkojnë punime me cilësi për të shmangur përsëritjen e skenave të frikshme të mëngjesit të datës 26 nëntor.

DurrësLajm u interesua mesditën e sotme pranë bashkisë Durrës për të marrë një informacion lidhur me numrin e pallateve të ndërtuara para vitit 1993 që janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, pallatet ku janë planifikuar ndërhyrjet e para, sa është preventivi paraprak i dëmeve në këto pallate, ndërhyrjet që do të bëhen parashikojnë riparimin vetëm të fasadës apo edhe muraturës së brendshme të apartamenteve etj.

Zëdhënësi i Shtabit të Emergjencës na u përgjigj se do të na informojë në një moment të dytë lidhur me ndërhyrjet që po kryhen në terren.

Ndërkohë, Durrëslajm mëson gjithashtu se policia po shoqëron në komisariat të gjithë personat që po kryejnë riparime në fasadat e jashtme të apartamenteve të tyre. Të gjithë të shoqëruarit janë mbajtur për disa orë në polici dhe më pas janë lënë të lirë.

Një ditë më parë, Këshilli Bashkiak miratoi punësimin e 100 punonjësve të fushës së ndërtimit për një periudhe 3 mujore, të cilët do të angazhohen pranë Ndërrmarrjes “Rruga” për riparimin e dëmeve në pallatet para vitit 1993, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Po ditën e martë, kryetari i përkohshëm i bashkisë, Zhulien Varfaj zhvilloi një takim me ndërtues të zonës së Durrësit, të cilët kanë premtuar se do t’i marrin vetë përsipër riparimin e dëmeve në pallatet e ndërtuara prej tyre. Gjithsesi, jo të gjithë ndërtuesit e qytetit bregdetar kanë qenë të pranishëm në dy mbledhjet e organizuara nga kryeministri Rama dhe kryetari Varfaj.