Ditën e sotme ka nisur procesi i vaksinimit për mësuesit në qytetin e Lezhës. Procesi i vaksinimit do të kryhet në ambjentet e palestrës së gjimnazit “Hydajet Lezha”.

Mësohet se vetë Kryeministri Rama do të jetë i pranishëm për të ndjekur nga afër vaksinimin e mësueseve. Ndërkohë, kujtojmë se sot ka nisur rivaksinimi i të moshuarve mbi 80 vjeç, në stadiumin “Air Albania”.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka parë nga afër si po vijon procesi i vaksinimit të të moshuarve, ndërsa ka theksuar se gjatë ditës së sotme do të vaksinohen rreth 2500 persona, mes të cilëve janë edhe ata që kanë nevojë për dozën e dytë.

Që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 24,887 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.