Një anije tregtare shqiptare e nisur drejt Maltës është ndaluar nga marina ushtarake e Libisë nën akuzën për transport të paligjshëm mallrash.
Lajmi u publikua këtë të shtunë në buletinin e Rojes Bregdetare vendase. Mbrëmjen e kaluar anija “Envi 1”, me flamur panamez e pronar shqiptar ishte nisur nga porti i Zuaras, 110 kilometra larg Tripolit me destinacion Maltën.
Në lundrim e sipër, anija është kapur nga autoritetet ushtarake bregdetare të Libisë, të cilat e kanë detyruar anijen të ankorohet pranë një tjetër porti, atij të Zauya-s, një port kryesisht karburantesh, që ndodhet 50 kilometra në perëndim të Tripolit.
Sipas njoftimit, anija shqiptare e drejtuar nga kapiteni malazez Marko Markoviç u ndalua pas dyshimeve për transport të paligjshëm të materialeve të ndërtimit, përfshirë edhe rërën.
Në përbërje të ekuipazhit prej 8 anëtarësh ndodhen edhe 5 marinarët shqiptarë, Maliq Bushati, Avni Buzi, Artur Selimaj, Xhodet Çelaj dhe Jurgen Balla, raporton “Top Channel”.
Përveç kapitenit dhe dy drejtuesit e tjerë, oficeri i parë dhe i dytë i anijes janë shtetas malazezë.
Burime nga kapiteneria e Portit të Durrësit bënë të ditur se kjo anije ishte nisur bosh më 5 shtator nga porti detar i Durrësit drejt Portit të Zuaras në Libi ku dhe u kap, ndërsa fati i marinarëve mbetet ende i paqartë në një vend ku konfliktet e brendshme janë të ashpra.
Ndërkohë, lidhur me këtë ka reaguar edhe Ministria e Jashtme, burime nga të cilat thonë se janë informuar vetëm nga njoftimi i shtypit.
“S’jemi informuar as nga autoritetet, as nga familjarët apo kompania. Kemi vetëm njoftimin e shtypit dhe menjëherë kemi filluar të interesohemi për sa ka ndodhur, si përmes ambasadës tonë në Kajro ashtu dhe me ambasadën libiane në Tiranë”, thonë nga Ministria e Europës dhe e Punëve të Jashtme.
/ Top Channel /