Një ditë ndryshe ka qenë e hëna për vogëlushët e Shtëpisë së Foshnjes, në Durrës. Në kuadër të Ditës Botërore të Jetimëve, vogëlushët e këtij institucioni janë vizituar nga nënkryetari i bashkisë Florian Tahiri dhe dhjetëra të rinj që sollën plot dhurata për ta dhe morën pjesë në aktivitetet festive që u organizuan me këtë rast. Njoftimin për këtë e jep vetë kryebashkiakja e Durrësit, Valbona Sako.

"Një ditë gëzimi e mbushur me plot dhurata dhe aktivitete festive ishte sot për fëmijët pa kujdesin prindëror në Shtëpinë e Foshnjes në Shkozet të Durrësit.

Në Ditën Botërore të Jetimëve, Nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri, së bashku me përfaqësues të administratës dhe dhjetëra të rinj e të reja zgjodhën që këtë ditë ta kalojnë pranë të vegjëlve që janë të strehuar në këtë qendër.

Gjithnjë do të kemi një vëmendje të shtuar ndaj fëmijëve pa kujdes prindëror ku përmes programeve dhe projekteve të ndryshme synojmë zhvillimin dhe integrimin e tyre në shoqërinë durrsake",- shkruan në rrjete sociale kryebashkiakja e Durrësit, Valbona Sako.