Një pallat në lagjen nr.3 në Durrës, pranë godinës së bashkisë, po rrezikon të kthehet në një vatër të re të Covid-19.

Një 77-vjeçar,, banor i këtij pallati, humbi jetën në Spitalin Infektiv pak ditë më parë, pasi ishte shtruar për t’u kuruar nga koronavirusi.

Ndërkohë, dy ditë më parë, një familje me tre anëtarë në po të njëjtin pallat, por që sipas banorëve nuk kishte hyrje dalje me personin e ndarë nga jeta, rezultoi pozitive me koronavirus.

Ndërkohë, DurrësLajm mëson se një tjetër banori të këtij pallati i është bërë tamponi, por ende nuk ka dalë përgjigjja.

Banorët e këtij pallati janë karantinuar edhe më shumë brenda gjatë këtyre ditëve, pasi i tremben prekjes nga virusi që deri tani u ka marrë jetën 22 personave në vendin tonë, nga të cilët 3 nga Durrësi, ndërsa numërohen 38 të prekur nga Covid-19 në qytetin bregdetar.

Sot, mësohet se është bërë dezinfektimi i ambienteve të të gjithë pallatit, për të evituar rrezikun që të tjerë banorë të preken nga Covid-19. Sipas ekspertëve epidemiologë, koronavirusi arrin të mbijetojë për ditë të tëra në sipërfaqe të caktuara.

Në qytetin bregdetar raportohen 38 persona të prekur nga virusi vdekjeprurës, disa prej të cilëve të shëruar. Raste që vlejnë të përmenden janë shërimi i mjekut Beqir Gelaj dhe nënë Haxhires, 80-vjeçares nga Durrësi, për të cilën ministrja Ogerta Manastirliu bëri një status të veçantë në rrjete sociale.

Në të gjithë vendin janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, 383 raste.

Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin total në 131.