Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albina Fico deklaroi sot se “në Shqipëri nuk ka raste të konfirmuara me koronavirus”, ndërsa duke u ndalur te masat u shpreh se “në mënyrë aktive kemi rritur survejancën dhe mbikëqyrjen”.
Në mbledhjen e Task Forcës kundër koronavirusit që u mblodh sot, Fico u shpreh se në laboratorin e ISHP-së, aktualisht pritet përgjigjja e analizës për një rast të dyshuar me koronavirus, për të cilin ajo tha se, “është thuajse e sigurt që është negativ”.
“Praktikisht kemi vetëm 1 rast që është duke u procesuar, gjasat janë negativ, por pa e parë me sy letrën negativ, nuk do e them”, u shpreh Fico.
Kryerja e analizës, sipas saj, “vjen pas dyshimeve se një qytetar mund të jetë infektuar, pasi mund të ketë shfaqur simptoma të ngjashme me të koronavirusit.” Pas konsultimeve dhe trajtimit nga stafi mjekësor i trajnuar dhe specializuar, është marrë vendimi që këtij pacienti t’i bëhen analizat, edhe pse janë thuajse zero mundësitë që ai të dalë pozitiv”, tha Fico.
E pyetur nëse ISHP ka mjaftueshëm kite për kryerjen e analizave për zbulimin e kronavirusit, Fico tha se “vetë ISHP ka bërë blerje të këtij mjeti të nevojshëm për zbulueshmërinë e koronavirusit, por duke qenë një institut që bashkëpunon me institucione ndërkombëtare, kanë ardhur kite edhe nga “MediLabSecure”, dhe priten furnizime të tjera nga jashtë”.
“Ne testojmë të gjitha rastet e dyshuara. Ata duhet të telefonojnë në Urgjencën Kombëtare. Numri i rasteve të dyshuara pranë ISHP është 6 dhe të gjitha kanë rezultuar negative”, deklaroi ajo.
Fico tha se risku për Shqipërinë është i ulët dhe fakti që koronavirusi ka prekur Italinë fqinje nuk e rrit riskun në vendin tonë.
“Kemi numrin e duhur të kiteve dhe të reagentëve për të bërë analizat në laboratorët e ISHP-së. Risku për Shqipërinë është i ulët. Fakti që është në Itali, nuk e ndryshon nivelin e riskut brenda në Shqipëri. Alerti është parapërgatitje e mirëmenduar nëse do të kemi disa zhvillime të reja. Ne vijojmë të kemi risk të ulët, nuk kemi rast të konfirmuar”, tha drejtoresha e ISHP-së.