Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e djeshme heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë.

Me propozimin e kryeministrit dhe Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bjellorusisë, për heqjen reciproke të kërkesave për vizë.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Marrëveshja ishte nënshkruar më 27 dhjetor në Ambasadën e Bjellorusisë në Moskë, ku ambasadori shqiptar në Rusi, Arben Gazioni ka firmosur së bashku me homologun Vladimir Semashko.

Ajo synon që të lehtësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve, të promovojë marrëdhëniet e biznesit dhe turizmit, si dhe të zgjerojë kontaktet kulturore e sociale.