Një ditë pas aksionit të madh që çoi në sekuestrimin e 1 ton kokainë në Spanjë dhe 1.5 mln eurove, dalin emrat e bosave shqiptarë të arrestuar.

Julian Deblini dhe Dritan Gradica janë dy shqiptarët e arrestuar, të cilët drejtonin një grup të strukturuar kriminal. Bashkë me ta u arrestuan edhe dy spanjollë Ruben Paz Ciprian Muñoz dhe Rubenit del Castillo de la Torre.

Ka dyshime të forta se kokaina është blerë te Klan De Golfo, e njëjta organizatë mafioze që dërgoi 613 kg kokainë në Durrës, në fundshkurt të këtij viti.

Droga e sekuestruar u gjet e grumbulluar në një magazinë në Madrid.

"Në momentin e ndërhyrjes, policia gjeti 790 pako me peshë 1 000 kg kokainë si dhe 1 550 000 euro cash që mbaheshin në një valixhe dhe që do përdorej për të paguar transportin e drogës".

Dy shqiptarët e arrestuar në hollin e një hoteli, mendohet se janë edhe bosët e kësaj linje që u zbulua në kryeqytetin spanjoll. Në pranga ka rënë dhe njeriu i tyre i besuar si dhe 2 shtetasit spanjollë me precedentë të mëparshëm kriminalë, që do të bënin transportimin e drogës.

Valixhet e zeza

Kokaina vinte me fluturime çarteri nga Kolumbia dhe ishte fshehur në 790 valixhe të zeza. Mësohet se grupi kriminal përdorte një shoqëri transporti për të maskuar trafikun e kokainës.

Droga ishte markuar me logon ‘CR7’, një shkurtim që përdoret nga lojtari i famshëm i Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo. Grupit iu sekuestruan edhe 5 makina luksoze, tri targa false policie, disa armë edhe 1 milionë e 550 mijë euro kesh.

Personi i pestë i arrestuar është lideri i organizatës që siguronte kokainën nga Kolumbia. Ky i fundit ishte larguar në momentin kur në Spanjë u kap ngarkesa e madhe me kokainë.