Qeveria paralajmëron ngritjen e një njësie superspeciale që do të merret me të fortët e rrugëve. Kryeministri Edi Rama, teksa po zhvillon një bashkëbisedim me gazetarët këtë të martë, deklaron se do të ketë dhe reformë të daljes në pension për policët. 

Rama tha se nuk do të ketë më policë pas moshës 55 vjeç.

"Vettingu në Policinë e Shtetit ka nisur. Nga rreth 300 grada të larta që do t'i nënshtrohen vettingut ka filluar verifikimi për 45 dosjet e para. Por tani do të avancojmë me aktin normativ me të gjitha pagesat jashtë orarit për Policinë e Shtetit. Jemi përgatitur dhe tanimë do të aprovojmë një reformë të domosdoshme për uljen e moshës mesatare në Policinë e Shtetit duke dhënë një mundësi daljeje për të gjithë punonjësit e policisë nga 55 në 65 vjeç. Nuk mund të ketë në trupën aktive të policisë punonjës mbi 55 vjeç, është e pakuptimtë. Por nga ana tjetër rrugëdalja duhet të jetë financiarisht kuptimplotë dhe nga pikëpamja e modaliteteve plotësisht e arsyeshme dhe ne kemi zgjidhur këtë në bashkëpunim me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit.

Është bërë gati një njësi speciale, superspeciale do të thosha unë, e cila do të hyjë shumë shpejt në aktivitet pasi është trajnuar intensivisht me një trup elitë të përzgjedhur dhe që do të merret ekskluzivisht me të gjithë të fortët e rrugëve, të lagjeve ose qyteteve. Ajo që kam anonçuar disa kohë më parë dhe që do të jetë pjesë e presionit intensiv që do të shkojë në rritje nga ana e Policisë së Shteti kundër këtyre tipave që nëse do të vendosin të qëndrojnë në Shqipëri duhet të përgatiten për tu fshehur në vrima që do të jenë shumë të ngushta përndryshe nuk do kenë mundësi të marrin frymë", tha Rama.